Me afrimin e festave të fundvitit, nisin edhe përgatitjet në familjet shqiptare, me bredhin festiv, dhuratat dhe pazaret për të pasur një tryezë plot.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Kjo është një traditë që vijon prej vitesh dhe sociologia Entela Binjaku shpjegon se shoqëria shqiptare festat i lidh me ngrohtësinë familjare.
“Për hir edhe të një tradite të së kaluarës, familjet shqiptare e lidhin fundvitin kryesisht me kuptimin familjar ndaj dhe mendimi i parë i tyre është ta presin vitin e ri plot me tryezën të mbushur plot e përplot. Kjo nënkupton që për familjet shqiptare shpenzimet e fundvitit janë të rëndësishme”, shpjegon sociologia Entela Binjaku.
Planet për festimin e krishtlindjeve dhe vitit të ri, janë në fokus të bisedimeve gjatë dhjetorit, një periudhë kjo që shpeshherë sjell dhe një ulje të produktivitetit në punë.
“Sa i përket njerëzve në vendin e punës ne vëmë re qe gjatë festave të fundviti ose kur afrojnë ditët e fundit të vitit produktiviteti në punë është disi më i ulët, njerëzit janë më shumë të shqetësuar se si do kalojnë krishtlindjen dhe vitin e ri, mezi presin ditët e pushimit dhe kryesisht vihet re një rënie e efiçencës në vendin e punës, megjithatë kjo sërish është e ndryshme, varet nga një perspektiv profesionale tek tjetra”, thotë sociologia.
Nga ana tjetër, kjo është edhe një periudhë që njerëzit e shfrytëzojnë për ti vendosur vetes qëllime të reja për vitin e ri, të cilin e presin plot shpresë e gëzim.