Britani dhe Kosova nenshkruan marreveshje

Nënshkruhet marrëveshje mes Britanisë dhe Kosovës për t’i luftuar bandat e trafikimit me njerëz

Kryeministri britanik, Keir Starmer do të nënshkruajë marrëveshje të reja për të penguar bandat kriminale që kontrabandojnë emigrantë nëpër Ballkanin Perëndimor, si pjesë e përpjekjeve për të bllokuar vendkalimet me varka të vogla.

Sir Keir Starmer do t’i bëjë publike marrëveshjet për të rritur shkëmbimin e inteligjencës, ekspertizën dhe bashkëpunimin me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në një takim të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, Hungari, të enjten, raporton media britanike “Standard”, transmeton Klankosova.tv.

Ai pritet të nxisë partnerët evropianë të ndërmarrin veprime për të reduktuar vdekjet në Kanalin Anglez gjatë kalimeve me varka të vogla dhe t’u thotë atyre se bashkëpunimi i ligjshëm ndërkombëtar do të jetë çelësi i përpjekjeve.

Media britanike shkruan se Ballkani Perëndimor është një rrugë kyçe e përdorur nga emigrantët që përfundojnë në BE ose Mbretëri të Bashkuar ilegalisht. Pothuajse 100,000 emigrantë udhëtuan në këtë rrugë vitin e kaluar.

Marrëveshjet thuhet se do të nxisin shkëmbimin e informatave të inteligjencës dhe bashkëpunimin për të penguar bandat kriminale ndërsa ato kontrabandojnë njerëz nëpër këto vende. Qëllimi është të arrestohen bandat dhe të thyhen modelet e tyre të biznesit qysh në start.

Mbretëria e Bashkuar tashmë punon me Shqipërinë për të luftuar flukset e paligjshme financiare që mbështesin operacionet e bandave të kontrabandës.

“Ekziston një perandori kriminale që vepron në kontinentin tonë, duke zhvatur njerëzit dhe duke minuar sigurinë tonë kombëtare”.

“E mbështetur nga Komanda jonë e re e Sigurisë Kufitare, Mbretëria e Bashkuar do të jetë në qendër të përpjekjeve për t’i dhënë fund plagës së krimit të organizuar të imigracionit – por ne nuk mund ta bëjmë atë të vetëm”.

“Ne duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe ta çojmë luftën drejtpërdrejt në zemër të këtyre rrjeteve të ndyra të kontrabandës me njerëz. Unë do ta bëj këtë tipar qendror të diskutimeve të mia në takimin e sotëm të Komunitetit Politik Evropian”, është shprehur kryeministri britanik, Starmer

Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper tha: “Puna jonë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është absolutisht thelbësore për çmontimin e rrjeteve kriminale që orkestrojnë shfrytëzimin e njerëzve të cenueshëm për përfitime financiare”.

“Duke punuar më ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ne do të ndajmë informacione dhe inteligjencë dhe do të punojmë përtej kufijve për të përcaktuar se çfarë po ndodh dhe ku, për të thyer modelet e biznesit të këtyre bandave të paskrupullta në burim”.

“Përmes punës sonë të intensifikuar, kriminelët së shpejti do të kuptojnë se nuk kanë ku të fshihen”, u shpreh ajo.

Kryeministri britanik nisi një fushatë njëjavore për kalimet me varka të vogla të hënën kur njoftoi 90 milionë euro fonde shtesë për Komandën e tij të re të Sigurisë Kufitare, duke e çuar fondin total në 180 milionë euro

Ai tha se planifikonte të shtynte përpara përpjekjet e Mbretërisë së Bashkuar për të lidhur një pakt sigurie me BE-në, duke përfshirë rivendosjen e aksesit në rrjetet e shkëmbimit të inteligjencës në kohë reale. /Klankosova.tv

Scroll to Top