Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
16 shtator 2025
Punonjësja e OSBE-së nuk e pranon fajësinë për spiunazh
Jelena Gjukanoviq nuk e ka pranuar fajësinë për spiunazh
Paraprakisht, prokurori Bekim Kodraliu e lexoi aktakuzën. Ai bëri të ditur se Gjukanoviq akuzohet se me vetëdije ka përsëritur veprime për të informuar Agjencinë e Inteligjencës në Serbi, duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Nis gjykimi i punonjëses serbe të OSBE-së, e akuzuar për spiunazh
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi sot gjykimi i serbes Jellena Gjukanoviq, e akuzuar për spiunazh.
Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka konfirmuar qysh më herët për Radion Evropa e Lirë se Gjukanoviq dyshohet për spiunazh në bashkëpunim me një tjetër person, i cili po ashtu është nën hetime.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe, në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimum pesë vjet burg.
Disa media kosovare kanë raportuar se Gjukanoviq dyshohet të ketë bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), por këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.
Muajin e kaluar, edhe një serbe tjetër e Kosovës dhe partneri i saj kroat janë arrestuar në Kroaci, nën dyshimet për spiunazh.
Sipas raportimeve, kroati, i cili ka shërbyer në misionin e NATO-së në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij nga Kosova, të cilat ajo ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Gjatë muajve të fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar disa persona, serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.
Ekspertët vlerësojnë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.