Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Gjermania ka shprehur angazhimin e saj për të ndihmuar Ukrainën të rrisë prodhimin e armëve, në përpjekje për të forcuar pozicionin e saj në çdo negociatë të mundshme paqeje me Rusinë. Këtë e ka bërë të ditur diplomati i lartë gjerman, Johann Wadephul, gjatë një vizite në Kiev të hënën, ku shoqërohej nga përfaqësues të industrisë gjermane të mbrojtjes.
“Ne e shohim si detyrë ndihmën ndaj Ukrainës, në mënyrë që ajo të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues”, tha Wadephul në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
Pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar – veçanërisht të Shteteve të Bashkuara – për të gjetur një zgjidhje paqësore, lufta vazhdon pa shenja të ndaljes. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka refuzuar propozimet për armëpushim dhe nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj objektivave të tij ushtarake.
“Kur Putini flet për paqe sot, kjo është një tallje e pastër. Gjoja gatishmëria e tij për të negociuar është vetëm një fasadë”, u shpreh Wadephul.
Lufta shkatërrimtare ka përfshirë një vijë fronti prej mbi 1,000 kilometrash dhe ka sjellë mijëra viktima mes forcave të të dyja palëve, si dhe në mesin e civilëve. Ndërkohë, Ukraina po përballet me mungesa të mëdha në armatim dhe personel, ndërsa mbështetja ndërkombëtare ka qenë thelbësore për qëndrueshmërinë e saj.
Gjermania, që renditet si donatori i dytë më i madh ushtarak për Ukrainën pas SHBA-së, synon të thellojë bashkëpunimin duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të armatimeve.
“Dëshirojmë të krijojmë ndërmarrje të përbashkëta, që Ukraina të mund të prodhojë më shumë dhe më shpejt për mbrojtjen e saj. Nevojat janë të mëdha”, theksoi Wadephul.
Vizita e tij në Kiev vjen vetëm dy ditë pas sulmit më të madh ajror të Rusisë kundër Ukrainës gjatë fundjavës së kaluar, duke nënvizuar urgjencën për përforcimin e mbrojtjes ukrainase.