Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Marrëveshja e re tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe ka hyrë në fuqi, duke forcuar lidhjet ekonomike mes dy vendeve. Në një njoftim të publikuar nga Qeveria britanike, thuhet se marrëveshja, e nënshkruar nga Presidenti Donald Trump dhe Kryeministri Keir Starmer, përfshin ulje të ndjeshme të tarifave për disa sektorë kyç.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ulja e tarifës për eksportet britanike të makinave, nga 27.5% në 10%. Po ashtu, tarifat 10% për motorët dhe pjesët e avionëve janë eliminuar, duke mundësuar rritjen e konkurrencës për industrinë ajrore britanike në tregun amerikan.
Qeveria britanike e cilësoi marrëveshjen si një fitore për eksportuesit dhe një hap të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me SHBA-në.
Megjithatë, ende mbeten sfida për sektorët e çelikut dhe aluminit, për të cilët Britania ka marrë një përjashtim të përkohshëm nga tarifat e ngarkuara nga SHBA. Nëse deri më 9 korrik nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare, Britania mund të përfshihet në këto masa.
Zyrtarët britanikë kanë njoftuar se janë angazhuar për të arritur një zgjidhje që do të eliminojë plotësisht tarifat për produktet kryesore të çelikut.