John Bolton

Ish-këshilltari i sigurisë i Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk mund të imponohet nga jashtë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, John Bolton, ka deklaruar se ndërsa Ballkani është më i qëndrueshëm se 35 vjet më parë, çështjet e pazgjidhura dhe ndikimet e jashtme – veçanërisht nga Rusia – vazhdojnë të paraqesin rreziqe.

“Ka arsye për shqetësim. Shumë çështje historike mbeten të pazgjidhura. Ndërsa Ballkani është më i qëndrueshëm sesa gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhje dhe politikën rajonale, veçanërisht në Rumani, përbëjnë një kërcënim serioz”, tha Bolton për A2 CNN.

Bolton theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit , duke vënë në dukje se përparimi në rajon ka qenë i kufizuar dhe Rusia vazhdon të kërkojë ndikim në Evropën Lindore dhe Qendrore.

“Ne kemi lënë shumë gjëra në duart e aleatëve tanë të Evropës Perëndimore. Duke pasur parasysh tensionet historike dhe konkurrencën aktuale gjeopolitike, Ballkani do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për interesat e SHBA-së.”

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi , Bolton e bëri të qartë se asnjë marrëveshje nuk mund të imponohet nga jashtë:

“Nuk do të ketë zgjidhje nëse vetë palët nuk e kuptojnë se nuk është në interesin e tyre të vazhdojnë konfliktin.”

Ai përmendi mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë së Veriut si një shembull se si këmbëngulja çoi në një zgjidhje:

“Edhe çështjet në dukje të vështira mund të zgjidhen me vendosmëri të mjaftueshme. E pamë këtë në rastin e Maqedonisë dhe nuk ka asnjë arsye pse një qasje e ngjashme të mos funksionojë për Kosovën dhe Serbinë.”

Scroll to Top