“Ka marrëveshje”, Kina dhe SHBA “zbusin” luftën tregtare mes tyre

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

27 qershor 2025

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord mes tyre për një zbutje të luftës tregtare. Lajmi është konfirmuar nga Donald Trump i cili ka bërë të ditur se SHBA dhe Kina kishin nënshkruar një marrëveshje tregtare, dy javë pasi thanë se kishin arritur një mirëkuptim në Londër se si të zbatonin një armëpushim në mosmarrëveshjen midis vendeve.

“Ne sapo nënshkruam me Kinën dje”, tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë, pa dhënë asnjë detaj.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se SHBA-të dhe Kina kishin “rënë dakord për një mirëkuptim shtesë për një kornizë për të zbatuar marrëveshjen e Gjenevës”, duke iu referuar bisedimeve tregtare që kombet zhvilluan në maj, kur negociuan për herë të parë një armëpushim, citon Financial Times. 

Dy persona të njohur me situatën thanë të enjten se Uashingtoni dhe Pekini duket se e kanë hartuar me shkrim atë që ishte negociuar më parë, por nuk ishte përfshirë në një dokument zyrtar. Përpara bisedimeve në Londër, zyrtarët amerikanë kishin thënë se donin të arrinin një marrëveshje shtrëngimi duarsh me kinezët, por disa ekspertë thanë se ishte naive të mos kishte një dokument.

Marrëveshja në Gjenevë përfshinte uljen e ndjeshme të tarifave ndaj njëri-tjetrit për 90 ditë, ndërsa ata përpiqeshin të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare. Megjithatë, marrëveshja kishte dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me eksportet kineze të metaleve të rralla dhe kontrollet e eksporteve të SHBA-së.

Më herët këtë muaj, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, udhëhoqi një ekip që përfshinte sekretarin e tregtisë, Hoëard Lutnick, dhe përfaqësuesin e tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, për bisedime në Londër me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng për të zgjidhur ngërçin. Pas dy ditësh, palët thanë se kishin arritur një marrëveshje, por nuk dhanë detaje

Deri më tani, vetëm Mbretëria e Bashkuar ka arritur një marrëveshje tregtare me SHBA-në, ndërsa Kina ka siguruar tarifa më të ulëta “reciproke” prej 10% pas një periudhe rritjesh të tarifave me kundërpërgjigje.

Scroll to Top