Begaj viziton Universitetin e Kalabrisë në Itali. Presidenti vlerësoi kontributin dhe angazhimin e profesorëve në ruajtjen e lidhjeve kulturore me Shqipërinë.
Presidenti Bajram Begaj vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.
Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, presidenti vlerësoi “këtë qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.
“Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos. Një punë e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë e studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri. Është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë.”
Presidenti Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.
Kreu i Shtetit përgëzoi studiuesit për tekstin shkollor të sapobotuar për mësimin e gjuhës arbëreshe, ndërsa u shpreh: “Këtu në sallë profesori dëshmoi atë që ne e përsëritëm gjatë ditës, thënien e Nënë Terezës, që, kur bën gjëra të vogla me dashuri të madhe, patjetër që do të arrish suksese. Humanizmi i atyre profesorëve, pa asnjë lloj kërkese financiare, vetëm e vetëm për të promovuar një libër, i cili do t’i shërbejë brezave dhe brezave, si dhe trashëgimisë së kësaj vlere të jashtëzakonshme gjuhësore, është vërtetë për t’u falënderuar. Themeli i këtyre marrëdhënieve është komuniteti arbëresh që, me veprën e tij prej më shumë se 5 shekuj, na ka treguar se sa e rëndësishme është të mbrojmë gjuhën, sa e rëndësishme është të mbrojmë identitetin tonë kulturor, gjuhësor dhe kombëtar. Fjalët janë tepër, veprat janë ato që mbeten. Veprat e atyre mësuesve që do t’i shërbejnë brezave, veprat e prodhuara nga profesor Altimari që do t’i mbeten brezave të tëra, do të prodhojnë shumë studiues të tjerë për të ardhmen tonë. Është shumë e rëndësishme që katedra e Albanologjisë në Kalabri të vijojë misionin e saj të lartë për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës e kulturës arbëreshe”.
Nga biblioteka e Universitetit të Kalabrisë, Presidenti i Republikës iu bashkëngjit ftesës së profesor Altimarit për mbështetjen, forcimin dhe bashkëpunimin me tri qendrat e rëndësishme kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë dedikuar gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, atë të Palermos dhe Romës.
Gjate vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës u prit në një takim të veçantë nga Rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone.