Prapaskenat brenda samitit të NATO-s për të joshur Donald Trumpin, CNN: Diplomacia e Mark Rutte për “babin” dhe kërcënimi për Spanjën

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

26 qershor 2025

Duhej të ishte gjëja e fundit që i nevojitej shefit të NATO-s. Të martën vonë, në prag të një samiti vendimtar që do të vuloste një investim të madh në mbrojtjen e NATO-s, llogaria e Donald Trump në Truth Social publikoi një foto të vetme: një mesazh adhurues i nënshkruar “Mark Rutte”, i shkruar në një stil identik me atë të Trump dhe i mbushur me lavdërime të tejskajshme për presidentin amerikan.

Po fluturon drejt një tjetër suksesi të madh këtë mbrëmje në Hagë,” thuhej në këtë mesazh.

“Evropa do të paguajë në mënyrë TË MADHE, siç edhe duhet, dhe kjo do të jetë fitorja jote,” vazhdonte ai.

“Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan nuk ka mundur ta bëjë për dekada me radhë.”

Për botën diplomatike, e cila është mësuar të përulet deri diku para stilit të Shtëpisë së Bardhë nën Trumpin, kjo ishte ekstreme.

Të nesërmen, duke dyfishuar deklaratat, Rutte tha se Trump meritonte vlerësime për qëndrimin ndaj Iranit dhe NATO-s, edhe pse shumëkush mbeti i habitur nga toni përulës i ish-kryeministrit holandez. Por ndërsa samiti përparonte, u krijua ndjesia se Rutte kishte realizuar një manovër diplomatike mjeshtërore.

“Bromance” (vëllazëri politike)

Rutte, ish-kryeministër i Holandës, nuk është i panjohur me marrëdhëniet me Trumpin, duke përdorur sharmin e tij të lehtë gjatë vizitave të shumta në Uashington gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Me një imazh gjithmonë të qetë e të buzëqeshur, fushata e Rutte për të joshur Trumpin ngjan me përpjekjet e liderëve të tjerë të NATO-s.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka krijuar një “bromance” të zhurmshme me Trumpin; presidenti finlandez Alex Stubb është afruar përmes lojërave të golfit, ndërsa kryeministrja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, ka fituar reputacionin si “pëshpëritësja e Trumpit” – ai e ka quajtur “një grua fantastike”.

Mesazhi i Rutte-s – i nënshkruar vetëm me mbiemër – tregonte ndoshta një marrëdhënie më pak miqësore. E njëjta gjë edhe me reagimin e Trumpit të mërkurën:

Mendoj që më pëlqen. Nëse jo, do ta mësoni. Do të kthehem dhe do ta godas fort,” tha Trump në një konferencë për shtyp.

Por në Hagë, Rutte dukej i gatshëm të bënte gjithçka për të ushqyer egon e presidentit amerikan dhe për t’i ruajtur imazhin.

Vendimi i Trumpit për të sulmuar programin bërthamor të Iranit u cilësua “jashtëzakonisht mbresëlënës” nga Rutte.

“Mesazhi që i dërgohet botës është se ky president, edhe pse është njeri paqeje, kur duhet, është i gatshëm të përdorë forcën,” tha ai.

Në disa raste gjatë samitit, ndërhyrjet e Rutte e ndihmuan Trumpin të kalonte më butë, përfshirë edhe pas shpërthimit verbal të presidentit amerikan (“f**k”) në lidhje me konfliktin e fundit mes Iranit dhe Izraelit.

Reagimi i Rutte, një shaka para kamerave botërore:

“Babai ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” tha ai pranë Trumpit, pasi ky i fundit përshkroi konfliktin si një grindje mes dy fëmijësh.

Më vonë Rutte sqaroi se nuk po e quante Trumpin “babi”, por po përdorte një metaforë.

Scroll to Top