Inteligjenca Artificiale dhe roli i të rinjve në qeverisje, hapet Shkolla Verore e BE-së 2025

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 qershor 2025

Skema e Bashkimit Evropian Young Cell Scheme (YCS) hapi zyrtarisht Shkollën Verore të BE-së 2025, me temën qendrore “Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i saj në qeverisje, shoqëri dhe siguri”.

Për katër ditë rresht, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfitues të bursave YCS dhe studentë nga gjithë vendi do të diskutojnë mbi sfidat dhe mundësitë që sjell AI në sektorë të ndryshëm të jetës publike.

“Inteligjenca artificiale nuk është më çështje e së ardhmes, por pjesë e përditshmërisë sonë”, u shpreh Andrra Nurkollari, presidente e Shoqatës së Alumni-ve të Skemës European Young Cell (EYCA) në Kosovë, gjatë fjalimit hyrës në ceremoni.

“Shkolla Verore e këtij viti besoj se nuk ka qenë ndonjëherë më e qëlluar në kohë, sepse po zhytemi në botën komplekse dhe emocionuese, por gjithashtu shumë të frikshme të inteligjencës artificiale. Nga administrata publike tek arsimi dhe nga produktiviteti personal tek manipulimi politik, AI është kudo, na pëlqen apo jo. Por bukuria e Shkollës Verore qëndron në faktin se nuk jemi këtu vetëm për ta lartësuar këtë fenomen, por për ta analizuar në mënyrë etike, ligjore, politike dhe sociale”, tha Nurkollari.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, theksoi nevojën që universitetet të përshtaten me zhvillimet teknologjike, duke vënë theksin te sfidat që sjell AI në arsimin e lartë.

“Nuk ka më kuptim t’u kërkojmë studentëve në mënyrën klasike të shkruajnë punime seminarike dhe t’i dorëzojnë ato. E dimë problemin e ghostëriting-ut prej shumë vitesh. Por tani, me të vërtetë, duhet të shtrojmë pyetjen në universitete: pse kemi nevojë dhe si duhet të përshtatemi,” tha Hajrullahu, duke theksuar se AI është faza e pestë pas revolucionit industrial, elektrifikimit, automatizimit dhe digjitalizimit.

Scroll to Top