Dita e 6-të e rinumërimit të votave për Tiranën, janë hapur 606 kuti! Ja sa vota kanë humbur PD dhe PS

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

24 qershor 2025

Sot është dita e gjashtë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët për qarkun e Tiranës. Procesi pritet të nisë në orën 09:00, ndërkohë që, deri më tani janë hapur 606 kuti nga 1282 në total.

PD vijon të ketë më shumë vota të pameritura (309), me diferencë nga PS 223, që mund të jenë vota të pavlefshme ose të marra nga partitë e vogla. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu 33 vota të pamerituara, PSD 25, 17 Lëvizja Bashkë ndërsa Partia Mundësia ka 12. Këto vota u zbriten nga numërimi fillestar.

Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 20 vota, të cilët rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim rezulton se i kanë marrë 7 vota nga 11 maji.

49 vota pa meritë ka edhe Ilir Meta, ndërsa Jorida Tabaku ka 65 vota pa meritë, por që nuk përbëjnë një ndryshim në rezultatin e mandatit që e fitoi përballë Alimehmetit.

Në PS, 256 vota pa meritë i ka ministri Ervin Hoxha, 130 ka Xhemal Qefalia, 125 Fatmir Xhafaj. Këto vota iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Olta Xhaçka, e cila fitoi mandatin me një diferencë të vogël me Blerina Gjylametin, ka 46 vota pa meritë. Ndërkohë Gjylameti ka vetëm 1.

Deri më tani këto rezultate nuk prodhojnë një ndryshim në rezultate, por pritet hapja e të gjitha kutive

Scroll to Top