Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
19 qershor 2025
SPAK çon për gjykim 6 zyrtarë të ARRSH për abuzim me tenderin 22 mln euro për rehabilitimin e aksit rrugor “Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Salillari SHPK– Bajrami N. SHPK. Zyrtarët akuzohen se favorizuan kompaninë e Pëllumb Salillarit.
TIRANË– Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 6 zyrtarë të ARRSH për shkelje të barazisë në tenderë. Bëhet fjalë për tenderin me vlerë 22 mln euro që është dhënë në vitin 2019 për rehabilitimin e Unazës së Re.
Dosja për 6 zyrtarët, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj, Admir Pahumi është dërguar për gjykim në GJKKO dhe ndaj tyre rëndon akuza për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Sipas SPAK, zyrtarët kanë shkelur ligjin në tenderin me vlerë 22 mln euro për “Rehabilitimin e segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, tender i fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë: Salillari SHPK– Bajrami N. SHPK.
Organi i akuzës i akuzon 6 zyrtarët se gjatë procedurës tenderuese kanë favorizuar kompaninë ‘Salillari’ të Pëllumb Salillarit për të fituar tenderin, edhe pse nuk kishte ofertën më të mirë. Të gjithë operatorët konkurrues u përjashtuan nga kjo procedurë, përfshirë edhe atë me ofertën me vlerën më të ulët.
SPAK bën të ditur se janë analizuar dhe administruar një sërë provash të rëndësishme, përfshirë dokumente tenderuese dhe teknike, informacione administrative, dosje të ofertave të dorëzuara, si edhe dokumentacionin e procedurave të ankimimit dhe vendimet përkatëse të Komisionit të Prokurimit Publik.
Gjithashtu, janë marrë në pyetje shumë përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në procedurat e tenderimit, të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të hetimit. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente zyrtare dhe janë administruar prova për disa procedura të tjera tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021. Për këto procedura, hetimet vijojnë ende.
Sipas SPAK, gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë kryer shkelje të rënda të ligjit, nëpërmjet veprimeve të koordinuara mes zyrtarëve të pandehur, duke dëmtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat ligjore të shtetit.
“Procedimi penal 175/1/4 i vitit 2025, është veçuar nga procedimi penal 175/1 i vitit 2022 – regjistruar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat penale;”Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.