Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 qershor 2025
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë thirrje për “evakuim urgjent të Teheranit” dhe e quajti “budalla” Iranin që nuk nënshkroi marrëveshje me SHBA-në për programin e tij bërthamor, përpara se Izraeli të niste sulmet.
Në postimin e Donald Trump në “Truth Social” lexohet: “Irani duhet të firmoste marrëveshjen kur i thashë unë. Shumë gjynah, gjithë ato jetë të humbura.
E thënë shkurt dhe qartë, IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë shumë herë! Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani”.
Donald Trump u largua herët nga samiti i G7. Sipas presidentit francez Emmanuel Macron, ai u largua për të punuar në një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, por vetë Trump përgënjeshtroi diçka të tillë.
“Nuk u ktheva në Uashington për “armëpushimin” mes Izraelit dhe Iranit. Macron as nuk e di fare pse u ktheva në Uashington, por e sigurt që nuk ka të bëjë me armëpushimin. Ka të bëjë me diçka më të madhe se armëpushimi. Do ju mbaj të informuar”, u shpreh Trump.
Trump gjithashtu e ka quajtur Presidentin francez Emmanuel Macron si person që kërkon vëmendje, për faktin se ishte ai që tha se Trump u kthye në Uashington për armëpushimin.
“Personi që kërkon vëmendje, Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se u ktheva në Uashington për “armëpushimin” mes Izraelit dhe Iranit. Gabim! Macron as nuk e di fare pse u ktheva në Uashington, por e sigurt që nuk ka të bëjë me armëpushimin. Ka të bëjë me diçka më të madhe se armëpushimi. Do ju mbaj të informuar”, u shpreh Trump.