Salianji kërkon lirinë me kusht, sot seanca në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

17 qershor 2025

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji kërkon lirinë me kusht në Gjykatën e Fierit. Seanca për Salianjin do të zhvillohet sot në orën 13:00, ndërsa ish-deputeti kërkon lirinë me argumentin se ka ezauruar 2/3 e dënimit.

Salianji ndodhet i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg. Salianji e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik.

Në muajin mars, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin kundër dënimit me 1 vit burg. Edhe në Tetor të vitit të kaluar, ai kërkoi në Gjykatën e Lartë pezullimin e dënimit me burg, por iu refuzua.

Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime, përmes së cilave pretendonte  se vëllai i ministrit të Brendshëm atë kohe, Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikun e drogës. Por, nga hetimet e rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.

Scroll to Top