Përplasje gjatë natës mes dy fuqive! Izraeli godet, Irani hakmerret

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 qershor 2025

Izraeli është tronditur nga shpërthime të fuqishme gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore ka qëlluar mbi raketa iraniane mbi qytete si Tel Aviv dhe Jeruzalemi, duke ndriçuar qiellin e natës me flakë dhe zhurmë të madhe.

Në orët e para të mëngjesit, ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë përpjekjet për të gjetur persona që mund të ndodhen ende nën rrënojat e një ndërtese të goditur në qendër të Izraelit. Edhe qyteti bregdetar i Haifës në veri, ku ndodhet një nga portet kryesore dhe një rafineri nafte, ka qenë në shënjestër.

Ushtria izraelite ka deklaruar se sulmet e fundit në Iran kanë goditur një qendër komanduese të forcave elitare Quds në Teheran, kryeqytetin iranian. Por objektivat këtë herë kanë shkuar përtej pikave bërthamore dhe ushtarake, duke përfshirë ndërtesa qeveritare dhe impiante energjetike, një strategji që duket se synon drejtpërdrejt regjimin iranian. Raportohet gjithashtu për goditje në zona të banuara.

Izraeli ka lënë të kuptohet se kjo do të jetë një fushatë e zgjatur, ndërsa Irani deklaron se ka të drejtën të mbrohet dhe se nuk do të hyjë në negociata nën kërcënim apo sulme.

Sipas autoriteteve izraelite, të paktën 19 persona kanë humbur jetën që prej fillimit të sulmeve kundër Iranit, të cilat provokuan reagimin e Teheranit. Nga ana tjetër, ministria iraniane e Shëndetësisë bën me dije se mbi 220 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga e premtja.

Scroll to Top