Tirana në qendër të diplomacisë rajonale, mirëpret liderët e 13 shteteve të rajonit

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 qershor 2025

Shqipëria është sot mikpritëse e Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një ngjarje me rëndësi të lartë diplomatike për rajonin.

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të bërë publike një ditë më parë, theksoi rëndësinë e këtij forumi për pozicionin gjeostrategjik të vendit dhe angazhimin e Shqipërisë për të përçuar mesazhin e integrimit evropian në të gjithë rajonin.

“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 qershor 2025, zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE,” deklaroi kryeministri Rama.

Tirana mban kryesimin e radhës së SEECP-së për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas Maqedonisë së Veriut, ndërsa stafetën e drejtimit do ta marrë më pas Bullgaria.

Sipas agjendës së njoftuar zyrtarisht, pritja e delegacioneve nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillohet nga ora 14:30 deri në 15:15, e ndjekur nga fjala hapëse e kreut të shtetit.

Presidenti Begaj pritet të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me homologë dhe liderë rajonalë, në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të SEECP-së.

Në përmbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i dorëzojë zyrtarisht kryesimin homologut të tij bullgar, Rumen Radev.

Po ashtu, një deklaratë për shtyp do të mbahet nga Begaj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Gjatë presidencës së saj nën moton “Formësimi i së ardhmes sonë europiane”, Shqipëria ka kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, nxitjen e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.

SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë.

Që prej themelimit të saj në vitin 1996 në Sofje, ky forum ka synuar ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, paqësor dhe të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Scroll to Top