Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
11 qershor 2025
Në Nicën franceze po zhvillohet Konferenca e tretë e Oqeaneve e OKB-së. Ndryshimi i klimës, plastika, mbipeshkimi – detrat janë në stres. A mundemi ne t’i mbrojmë sa duhet ato?
Në Nicë të Francës po mbahet Konferenca e tretë e Kombeve të Bashkuara për Oqeanet (9 – 13 qershor), ku bashkësia ndërkombëtare është mbledhur për të diskutuar masat urgjente për mbrojtjen e oqeaneve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar për të mbrojtur ekosistemet detare që janë gjithnjë e më të rrezikuara.
Në fjalën e tij hapëse, Guterres u kërkoi liderëve botërorë të nënshkruajnë një traktat ndërkombëtar që do t’u mundësonte vendeve krijimin e zonave detare të mbrojtura në ujërat ndërkombëtare – një hap kyç drejt ruajtjes së biodiversitetit në thellësitë oqeanike.
Ndër problemet kryesore që kërcënojnë oqeanet përmenden:
- Peshkimi i paligjshëm,
- Ndotja nga plastika,
- Rritja e temperaturave të ujit,
- Rritja e nivelit të detit,
- Acidifikimi i ujërave detare, që ndikon negativisht në shumë specie ujore dhe rezervat e peshkut.
Oqeanet janë shtëpia e mbi 250.000 llojeve të ndryshme, nga planktoni mikroskopik deri tek balenat blu, dhe sigurojnë ushqim për më shumë se një miliardë njerëz në mbarë botën. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa urgjente, degradimi i mjedisit detar do të ketë pasoja të rënda ekologjike dhe ekonomike për të gjithë globin.
Detrat e ngrohtë nënkuptojnë më pak qenie të gjalla
Ngrohja globale po rrezikon jetën nënujore. Me rritjen e temperaturës, koralet shpërbëhen – 84% e tyre janë tashmë të prekura. Nëse uji ngrohet me 1.5°C krahasuar me periudhën paraindustriale, shumica e koraleve do të zhduken. Ngrohja me 2°C do të shkaktonte shkatërrim të pakthyeshëm, paralajmëron Katja Matthes nga GEOMAR. Uji i ngrohtë përmban më pak oksigjen, duke rrezikuar planktonin, peshqit dhe gjitarët detarë. Studimet tregojnë se ngrohja ka prekur detin deri në 2.000 metra thellësi, duke krijuar “zona të vdekura” si në Detin Baltik.
Mbipeshkimi i krijon stres sistemit të detrave
Peshkimi i pakontrolluar ka shtuar presionin mbi ekosistemet detare. WWF njofton se numri i llojeve të prekura është trefishuar në 50 vitet e fundit. Në Mesdhe, pothuajse gjysma e llojeve janë prekur nga mbipeshkimi. Sardelja është një nga më të prekshmet, çka dëmton zinxhirin ushqimor dhe kërcënon bazën ushqimore të miliarda njerëzve. Rreth 600 milionë njerëz në botë janë ekonomikisht të varur nga deti.
Deri më 2050 më shumë plastikë se sa peshq në oqean
World Resources Institute paralajmëron se deri më 2050, pesha e mbetjeve plastike në oqean do të tejkalojë atë të peshqve. Çdo vit, 8–10 milionë ton plastikë përfundojnë në det. Këto mbetje shpërbëhen shumë ngadalë, duke dëmtuar rëndë jetën detare dhe duke u bërë kërcënim për të gjithë ekosistemin.