Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 qershor 2025
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të posaçëm për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2026 mes Shqipërisë dhe Serbisë, që zhvillohet më 7 qershor, në orën 20:45, në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Masa të rrepta sigurie do të zbatohen që nga ora 15:00 e ditës së ndeshjes, me kufizime qarkullimi në disa akse kryesore rreth stadiumit, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Faik Konica” e të tjera. Policia ka parashikuar gjithashtu eskortim të skuadrave, kontroll të detajuar të tifozëve dhe pajisje anti-dron për të shmangur incidente të mundshme.
Tifozëve u kërkohet të paraqiten në hyrjet e stadiumit nga ora 18:00 për të shmangur vonesat, si dhe të mos publikojnë biletat në rrjete sociale, pasi çdo tentativë për falsifikim ose dublikim do të ndiqet penalisht.
Çdo akt dhune, futje e paautorizuar në fushë, përdorim i lëndëve piroteknike apo dronëve do të dënohet me masa të rënda penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Policia u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe ruajtjen e imazhit të vendit.