Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 qershor 2025
Një përplasje për shprehjen politike në parlamentin gjerman ka sjellë përjashtimin e deputetes së Partisë së Majtë, Cansin Kokturk, nga salla plenare e Bundestagut, pasi ajo refuzoi të ndryshonte bluzën që mbante mbishkrimin “Palestinë”.
Presidentja e Bundestagut, Julia Klockner, ndërhyri gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, duke e quajtur veshjen e Kokturk një deklaratë politike të papërshtatshme në mjedisin parlamentar.
Klockner theksoi se rregullat e Dhomës ndalojnë çdo formë mesazhi politik të shfaqur përmes veshjes gjatë seancave.
“Ne kemi rënë dakord për këto rregulla,” tha Klockner, “as ngjitëset dhe as mesazhet e shkruara në bluza nuk lejohen. I kërkova zonjës Köktürk ta ndërrojë pulovrën, por ajo refuzoi. Në këto kushte, më duhet t’i kërkoj të largohet nga salla.”
Ky nuk është incidenti i parë ku deputetja Köktürk tërheq vëmendjen për simbolikën e saj politike.
Në ditën e saj të parë në Bundestag, ajo ishte veshur me një shall tradicional palestinez, duke shkaktuar reagime të forta nga radhët e konservatorëve të CDU-së, të cilët kërkuan ndalimin e simboleve të tilla në sallën plenare.
Rasti ka ndezur debat për kufijtë mes lirisë së shprehjes dhe respektimit të neutralitetit institucional.
Disa kritikë të masës thonë se rregullat janë zbatuar në mënyrë të padrejtë dhe selektive ndaj kauzave të caktuara.
Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më herët në parlamentin gjerman. Në vitin 2017, një vajzë 13-vjeçare, vizituese në Bundestag gjatë një ekskursioni shkollor, u detyrua të mbulonte një bluzë me sloganin “Mirë se vini, refugjatë”.
Në vitin 2009, një student u përjashtua për shkak të një bluze me mbishkrimin “Bëni dashuri, jo luftë”. Kohët e fundit, deputeti Marcel Bauer u nxor dy herë nga salla pasi refuzoi të hiqte beretën e tij të zezë.
Përkrahësit e rregullores thonë se ndalimi i mesazheve politike në veshje është thelbësor për të ruajtur neutralitetin dhe seriozitetin e diskutimeve parlamentare
Por kundërshtarët argumentojnë se ky lloj kontrolli mbi shprehjen është i tepruar dhe bie ndesh me të drejtat themelore të përfaqësuesve të zgjedhur.