Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
20 maj 2025
Britania e Madhe njoftoi sot një sërë sanksionesh të reja që synojnë sektorët ushtarak, energjetik dhe financiar të Rusisë, duke intensifikuar kështu presionin mbi Moskën për luftën në Ukrainë.
Autoritetet britanike njoftuan se 100 sanksionet e reja që po imponohen janë pasojë e sulmeve ruse me dron këtë fundjavë ndaj qyteteve ukrainase, duke shënuar sulmin më të madh me dron gjatë gjithë periudhës së luftës.
Masat e reja synojnë zinxhirët e furnizimit të sistemeve ruse të armëve, përfshirë raketat Iskander, si dhe kompanitë e mbështetura nga Kremlini për informacionin, institucione financiare që ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet, dhe anije që përbëjnë atë që njihet si “flota e errët” e naftëtarëve rusë, njoftoi Britania.
Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, theksoi se: “Ne e inkurajojmë presidentin rus të pranojë menjëherë një armëpushim të plotë dhe pa kushte, në mënyrë që të mund të zhvillohen bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ai shtoi se: “Ishte e qartë se çdo vonesë në përpjekjet paqësore do të dyfishonte vendosmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën që të mbrohet dhe për të përdorur sanksionet tona për të kufizuar makinerinë luftarake të Putinit.”