Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 maj 2025
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)), Memli Krasniqi është deklaruar për media pas përfundimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai para mediave e ka quajtur të pakuptimtë insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.
”Fatkeqësisht edhe sot, për 15-tën herë me radhë pamë skenarin e njëjtë, këmbënguljen e njëjtë për mbajtjen e kësaj bllokade. Insistimin për skemë kundër ligjore dhe kundër kushtetuese për votimin e fshehtë. Një qasje e tepërt dhe po e pengon ecjen tutje. Shpreh keqardhje time dhe PDK-së për situatën ku gjithë vendi, institucionet dhe qytetarët kanë mbetur peng nga Vetëvendosja, e cila përkundër kërkesës, propozimit për ndërrim të kandidates”, tha Krasniqi.
Ndryshe, edhe sot ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës në tentimin e 15-të.
Sikurse në seancat e fundit, edhe në këtë Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces.
Për kanë votuar 56 deputetë, një kundër dhe asnjë abstenim.