Kuvendi në krizë institucionale, presidentja e gatshme të ofrojë konsultime me liderë të partive

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

29 prill 2025

Moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve ka bllokuar funksionimin normal të legjislativit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, tha se po mungon vullneti politik për të arritur një marrëveshje, qoftë edhe përmes kompromisesh.

“Ka një formë, nuk është shumë e lakmueshme ta quaj, është Neni 113 pika 5 është e kushtetutës në të cilën nëse presidentja e kualifikon se mos zgjedhja e parlamentit e shkelë kushtetutën dhe rendin kushtetues juridik atëherë mund ta bëjë një kërkesë se është palë e autorizuar me ligj. Ta bëjë një kërkesë në Gjykatë Kushtetuese dhe gjykata të japë një verdikt”, ka thënë Kryeziu.

“Por në rast se vijohet me një qasje të tillë të subjekteve politike atëherë unë besoj se është në përgjegjësinë dhe të drejtën e presidentes që këtë situatë ta referojë në Gjykatën Kushtetuese e cila do të duhej të interpretonte nëse të drejtat e ofruara me kushtetutë, në këtë rast e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues dhe nëse do të duhej potencialisht të caktohej një afat brenda së cilit duhet të përmbyllet kjo”, ka thënë Eugen Cakolli hulumtues i lartë në KDI.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha për RTK-në se presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderë të partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme.

“Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z. Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”.

Në gjithë këtë kaos politik disa parti politike kanë përmendur edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Analisti politik, Dorajet Imeri, konsideron se në gjendjen e tanishme Kuvendi i Kosovës shumë pak shpresohet që do të krijohet një rrethanë e re për kapërcimin e këtij ngërçi kaq të madh.

“Me gjasë pritet me qëndrimet që do ti ndjekin ata në raport me konstituimin e kuvendit dhe qeverisë por mbi të gjitha lidhet ekskluzivisht me projektimin e zgjedhjeve të cilat me gjasë do të na presin”, ka thënë Ymeri.

Kryeziu tutje ka shtuar se nuk ka mundësi të shkohet në zgjedhje në aspektin ligjor dhe kushtetues.

“Ekzistojnë pengesa ligjore dhe kushtetuese që deri sa të zgjidhet kryetari i parlamentit dhe nënkryetarët absolutisht nuk ka mundësi të shkohet në zgjedhje në aspektin ligjor dhe kushtetues”, ka shtuar Kryeziu.

Scroll to Top