Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 prill 2025
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) përmes një raporti tregon se doktrina kombëtare e sigurisë së Serbisë është shndërruar në një instrument për institucionalizimin e armiqësisë ndaj Kosovës, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin strategjik me Rusinë dhe Kinën, një zhvillim që ka potencialin të minojë interesat e BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Raporti me titull “Si e sheh doktrina e sigurisë së Serbisë Kosovën, Perëndimin, Rusinë dhe Kinën?”,paraqet një analizë të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së Serbisë të miratuar në vitin 2021.
Sipas gjetjeve të raportit, pas retorikës së “neutralitetit ushtarak,” Serbia po e ngulit në mënyrë sistematike një narrativë anti-perëndimore dhe po e trajton shtetësinë e Kosovës si çështje sigurie për të justifikuar sjellje agresive.
Autori Ramadan Ilazi thekson se “doktrina e sigurisë së Serbisë jo vetëm që e refuzon pavarësinë e Kosovës, por e portretizon ekzistencën e saj si kërcënim për sigurinë kombëtare.”
Gjithashtu, ai thekson se “kjo doktrinë është një plan politik që i jep mbulesë strategjike ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë me qëllim minimin e mbështetjes për pavarësinë e saj.”
Në letër, doktrina pozicionon Serbinë si një shtet që balancon mes Lindjes dhe Perëndimit.
Por studiuesit e QKSS theksojnë se kjo është një fasadë. Në realitet, Serbia po ndjek një politikë me dy binarë: përfshihet në mënyrë selektive me Perëndimin për përfitime ekonomike dhe politike, ndërsa në të njëjtën kohë thellon aleancat ushtarake, ekonomike dhe ideologjike me fuqi autoritare si Kina dhe Rusia.
“Gjetjet konfirmojnë se politika e sigurisë së Serbisë po harmonizohet gjithnjë e më shumë me Moskën dhe Pekinin në çështje strategjike thelbësore”, ka theksuar Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i QKSS.
Sipas tij, ky afrim, i kombinuar me qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, paraqet sfidë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.