Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 prill 2025
Gjykata Themelore në Prishtinë- kolegji shqyrtues i gjyqtarëve, ka refuzuar ankesën e kryeministrit Albin Kurtit për gjobën prej 250 eurosh, e cila iu shqiptua për mosparaqitje në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.
Kështu kanë bërë të ditur burime të “Betimi për Drejtësi” brenda qeverisë.
Lidhur me atë nëse kanë pranuar vendimin e Themelores dhe në rast se e kanë kryer pagesën e gjobës, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e qeverisë, Përparim Kryeziu, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” vazhdimisht ka kërkuar nga gjykata dhe prokuroria përgjigje lidhur me rastin e gjobës ndaj Kurtit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Më 2 prill 2025, kryeministri Kurti tha para gazetarëve se nuk duhet të mërziten kur ai dënohet ndonjëherë. Këtë deklarim, ai e bëri pasi u pyet për gjobën e Gjykatës Themelore në Prishtinë
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte urdhëruar Kurtin që të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit më 4 mars 2025, në orën 10:00, në PSRK.