Biden për Trump: “Kaq shumë dëm e kaq shumë shkatërrim”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

16 prill 2025

Pas gati tre muajsh, ish-presidenti amerikan Joe Biden ka kritikuar hapur për herë të parë politikat e pasuesit të tij Donald Trump  “Mbetesh pa frymë” se sa shumë ka shkatërruar në më pak se 100 ditë. Vendi nuk ka qenë kurrë kaq i ndarë.”, tha Biden në një konferencë në Çikago për personat me aftësi të kufizuara. “Ata qëllojnë fillimisht dhe pastaj marrin në shënjestër” tha ish-presidenti Biden, duke theksuar se brenda një kohe të shkurtër janë bërë shumë dëme dhe shkatërrime.

Biden kundër shkurtimeve në administratë

Biden kritikoi veçanërisht shkurtimet masive të administratës Trump për agjencinë e pensioneve “Social Security”. Ndër të tjera, ajo është përgjegjëse për shpërndarjen e pensioneve shtetërore për 68 milionë përfitues. “Ata po i presin sigurimet shoqërore me sëpatë dhe po shkarkojnë 7000 nëpunës civilë, mes tyre edhe ata më me përvojë”, kritikoi ish-presidenti. Në një kohë që sigurimet shoqërore duhet të mbrohen “për të mirën e të gjithë kombit”.  Nuk bëhet fjalë vetëm për pensionet e pleqërisë. “Kjo ka të bëjë edhe me ruajtjen e marrëdhënies bazike të besimit mes shtetit dhe popullit”, u shpreh demokrati Biden. Në fjalimin e tij, Biden u shpreh mjaft i zhgënjyer edhe për polarizimin brenda popullit amerikan: “Unë merrem me këtë për një kohë shumë të gjatë,” tha Biden, dhe asnjëherë vendi “nuk ka qenë kaq i ndarë”.

Që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë ,  Biden ka bërë disa paraqitje publike, por deri më tani i kishte shmangur kritikat ndaj Trumpit, ndryshe nga presidenti i ri, i cili rregullisht fajëson administratën Biden për shumë probleme në SHBA.

Scroll to Top