Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 prill 2025
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama do të mbajë të dielën një miting në provincën e Varezes në veri të Italisë, i cili po promovohet nëpërmjet një fushate reklamash në rrjetet sociale pas së cilës qëndron një faqe anonime në ‘Facebook’ dhe një organizatë jo-fitimprurëse italiane.
Të dielën në orën 15:00, në qendrën e kongreseve ‘Malpensa Fiere’ në Busto Arsizio të provincës së Varezes në Itali, kryeministri Edi Rama pritet të mbajë një miting të madh elektoral, me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve me banim në vendin fqinj.
“Ky është një moment unik për t’u lidhur me rrënjët shqiptare dhe për të diskutuar perspektivat e ardhshme të Shqipërisë,” shkruhet në një reklamë të postuar në rrjetet sociale ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, ndërsa theksohet se hyrja është falas.
“Një mundësi e veçantë për të takuar personalisht Kryeministrin dhe për të ndarë ide mbi të ardhmen e komunitetit shqiptar jashtë vendit,” shton reklama.
Edhe pse eventi cilësohet si një takim kulturor, ai zhvillohet në mes të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri dhe reklama mban një ‘hashtag’ të sloganit të përdorur nga Partia Socialiste, “#Shqipëria2030”.

Fushata e reklamave është postuar në platformat e kompanisë ‘Meta’ nga një faqe anonime në ‘Facebook’, në bashkëpunim me një organizatë në Itali të quajtur ‘E20Italia Associazione Culturale’, e cila drejtohet nga juristja dhe sipërmarrësja me origjinë shqiptare me aktivitet në Milano, Vasenka Rangu Leka.
E pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësje, zyra e shtypit në Kryeministri i drejtoi pyetjet tek Partia Socialiste, e cila nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërkohë, sipërmarrësja Vasenka Rangu tha se nuk e kishte të mundur të komentonte deri në javën e ardhshme “për mungesë kohe”.