Kongresistët me rezolutë për krimet seksuale të luftës në Kosovë: Të marrë fund pandëshkueshmëria

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 prill 2025

Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuan drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në tesktin e kësaj propozim-rezolute përshkruhet rasti i dhunimit ndaj ish-deputetes së Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila është edhe shtetase amerikane, për të cilën krahas të tjerëve kërkohet drejtësi.

Në këtë propozim-rezolutë i bëhet thirrje Qeverisë së Serbisë të sjellë para drejtësisë individët që janë përgjegjës për krimet seksuale të luftës, përfshirë edhe rastin e 14 prillit 1999 të Vasfije Krasniqit, raporton Gazeta Express.

Për këtë rezolutë të propozuar ka shkruar presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se shpreson që ajo të miratohet.

Ndërkaq, kongresistëti bëjnë thirrje qeverisë së SHBA-së që të ngre rastin e Vasfije Krasniqi Goodman në angazhimet e ardhshme bilaterale me Qeverinë e Serbisë, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies për krimet e luftës të kryera kundër grave dhe të rinjve.

“Falënderoj ligjvënësit amerikanë që kërkuan drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës gjenocidale të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Zërat e të mbijetuarve tanë – si ai i Vasfijes dhe i Shyhretes – thyen heshtjen dhe u dhanë forcë mijëra të tjerëve. Për të gjithë ata, drejtësia nuk është një zgjedhje – ajo është një e drejtë e mohuar prej kohësh. Derisa i afrohemi 14 Prillit – Ditës Kombëtare të Kosovës për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës – kjo njohje është një hap i fuqishëm përpara. Pres me padurim miratimin e kësaj rezolute”, tha ajo.

Scroll to Top