Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 prill 2025
Shtetet e Bashkuara kanë shkarkuar komandanten e bazës së tyre ushtarake në Grenlandë për shkak të përpjekjeve të dyshuara për të “minuar agjendën e presidentit amerikan, Donald Trump”, pas mikpritjes që i bëri zëvendëspresidentit amerikan në ishullin Arktik.
Kolonelja Susannah Meyers u shkarkua nga pozita e komandantes së Bazës Hapësinore Pituffik të enjten mbrëma, pas raportimeve se kishte dërguar një email kritik ndaj vizitës së zëvendëspresidentit, JD Vance në ishull muajin e kaluar.
“Veprimet për të minuar zinxhirin komandues ose për të sabotuar agjendën e Trumpit nuk do të tolerohen në Departamentin e Mbrojtjes”, shkroi zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, në platformën X.
Parnell e shoqëroi postimin me një raport nga një portal ushtarak ku thuhej se Meyers kishte dërguar një email për të gjithë personelin e bazës disa ditë pas vizitës së Vance, duke deklaruar se ajo do të vazhdonte të mbante të ngritura flamujt amerikan, danez dhe grenlandez, pavarësisht kritikave të ashpra të zëvendëspresidentit ndaj Kopenhagenit.
“Nuk pretendoj të kuptoj politikën aktuale, por ajo që di është se shqetësimet e administratës amerikane të diskutuara nga zëvendëspresidenti Vance të premten nuk pasqyrojnë realitetin e Bazës Hapësinore Pituffik”, thuhej në emailin e dërguar më 31 mars.
Actions to undermine the chain of command or to subvert President Trump's agenda will not be tolerated at the Department of Defense.
— Sean Parnell (@SeanParnellATSD) April 11, 2025
⬇️⬇️ https://t.co/ITFeGw0kUf pic.twitter.com/MO68aje1X2