Brezi i ri i vajzave rome lufton barrierat me shkollim

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

08 prill 2025

Me ëndrrën e nënës në zemër, Meleke Misini nisi rrugëtimin drejt një diplome universitare dy vjet më parë.

Njëzetvjeçarja nga Prizreni, e komunitetit rom, tani është në vitin e dytë të studimeve për Higjienë dhe Estetikë Dentare në këtë qytet dhe, me çdo provim të kaluar, ajo i afrohet qëllimit për t’iu bashkuar brezit të parë të grave rome në Kosovë që marrin diplomë universitare.

“Mami e ka përfunduar shkollën deri në klasën e nëntë dhe nuk ka mundur ta vazhdojë më tutje, sepse gjyshi nuk e ka lënë. Ajo gjithmonë më thotë që unë duhet ta arrij suksesin që ajo nuk ka mundur”, thotë Melekja për Radion Evropa e Lirë.

Të dhënat e publikuara nga Komisioni Evropian tregojnë se vetëm rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar në Kosovë. Përqindja është më e ulët kur merren parasysh vetëm vajzat.

Shkaku i varfërisë, vetëdijesimit të ulët për rëndësinë e edukimit dhe martesave të hershme, shumë vajza rome përballen ende me presion për ta braktisur shkollimin.

Melekja ndihet me fat që ka pasur përkrahjen e plotë të prindërve të saj, edhe pse e pranon se ndonjëherë “kushtet financiare nuk i kemi aq të volitshme”.

Për t’i ndihmuar prindërit në financimin e ëndrrës së tyre të përbashkët, Melekja mori një vizë pune për në Gjermani gjatë muajve të verës dhe grumbulloi para për studime.

“Ata i kam përkrahjen më të madhe. Në shekullin tonë do të duhej që çdo prind ta mbështeste fëmijën e vet. Por, fatkeqësisht, kemi raste kur nuk ndodh kjo gjë”, thotë prizrenasja.

Për të, e rëndësishme ka qenë të rrethohet edhe me vajza të tjera rome në Prizren, që po kalojnë të njëjtin rrugëtim si ajo.

Shoqja e saj, 21-vjeçarja Edona Krasniqi, tani është në vitin e tretë të studimeve për Edukim Parashkollor.

Gjashtë vjet më parë, babai i saj ndërroi jetë, por ëndrra e tij për ta parë vajzën të diplomuar, mbeti e ngulitur në mendjen e Edonës.

Qëllimi i saj nuk u lëkund, me gjithë sfidat që hasi në këtë rrugëtim.

“Vitin e kaluar, kur po bëja praktikë, një vajzë kishte thënë që nuk dua të mësoj me këtë mësuese, sepse kjo është e komunitetit ‘ma****p’. Ajo fjalë më ka bërë të ndihem shumë keq, por s’e kam humbur ëndrrën time”, thotë 21-vjeçarja.

Edona thotë se nuk mund ta përshkruajë ndjenjën që i falin fëmijët kur e thërrasin “edukatore” dhe shpreson që atyre t’u ofrojë mësime të rëndësishme.

“Si temë e parë në klasë duhet të jetë diskriminimi, që të jemi gjithmonë të barabartë, të shoqërohen të gjithë bashkë. Është e rëndësishme që të gjitha komunitetet të mësojnë prej njëri-tjetrit”, shton prizrenasja.

Në tentim për ta rritur numrin e studentëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nëpër universitetet në Kosovë, institucionet kanë ndarë bursa studimi, si dhe kanë ndarë vende të rezervuara për studentët nga këto komunitete në universitetet publike.

Edhe organizatat e ndryshme joqeveritare kanë ndërmarrë iniciativa për të ngritur vetëdijesimin për rëndësinë e arsimimit dhe për të nxitur maturantët të regjistrohen në studime universitare.

Scroll to Top