Kurti: Serbia po përdor burime shtetërore për të mbështetur Listën Serbe dhe Radoiçiçin

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

07 prill 2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe për përpjekjet për të sabotuar konsolidimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ai theksoi se Serbia vazhdon të përdorë burime shtetërore për të mbështetur Listën Serbe dhe Milan Radoiçiç, i cili është përfshirë në sulmet terroriste në Banjskë.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiç,” tha Kurti, duke shtuar se përpjekjet për të destabilizuar Kosovën po vazhdojnë. Ai nënvizoi gjithashtu se kërcënimet dhe shantazhet ndaj deputetëve të pakicave joserbe janë një pjesë e përpjekjeve për të penguar formimin e institucioneve të reja.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti konfirmoi se informacionet e siguruara nga institucionet e sigurisë flasin për ndikimin e Serbisë në këto procese, duke nënvizuar se “tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë”.

Ai gjithashtu theksoi se Serbia është duke ushtruar trysni të paparë ndaj serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e presidentit Vuçiq në Beograd.

“Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”, shtoi Kurti.

Scroll to Top