Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 mars 2025
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgimin 313 të Tiranës i arrestuar për korrupsion prej 5 muajsh, ka dhënë një intervistë me shkrim për emisionin Opinion në Tv Klan, që është përshtatur për transmetim me zë e figurë përmes inteligjencës artificiale.
Ish-Presidenti është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se si e kalon kohën në qelinë e paraburgimit.
Ilir Meta thotë se qëndrimi në qeli i duket si pushime, duke përmendur shtëpinë e pushimit Kavalishencën, si dhe ka mësuar të gatuajë.
Si është jeta juaj në izolim? Me se merreni gjatë ditës?
Ilir Meta: Dita ime është fantastike. Më duket sikur jam në kavalishencë. Gjithë ditën lexoj dhe shkruaj. Po kështu tre herë në ditë bëj lëvizje dhe stërvitje si kurrë më parë. Për herë të parë në jetën time kam mësuar të gatuaj, se kurrë nuk kam gatuar në konvikt. Kam mësuar gjëra të jashtëzakonshme që do të më ndihmojnë shumë për të ardhmen.
Nuk e konsideroj kohë të humbur, por kohë të fituar.
Natyrisht që kam parë se sa njerëz të pafajshëm ndodhen këtu vetëm që dikush të mburret me statistika të cilat vrasin jetë njerëzish dhe familjarësh.
Duhet një reformë e vërtetë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimit, pasi mbi 60% e njerëzve këtu ose janë të pafajshëm ose mund të hetoheshin në gjendje të lirë, pranë familjarëve të tyre.
Duhet rishikuar Kodi Penal dhe gjithë politika penale, e cila lejon shumë abuzime në interpretim dhe shkatërron jetë njerëzish, për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.
Po kështu duhen dyfishuar pagat e policisë së burgjeve, sepse kanë një punë me shumë tension dhe paga skandaloze.
Përveçse edhe vaktin e premtuar prej kohësh nuk e marrin.