Kurti flet për serinë e vrasjeve të fundit: Gjithë vendi është tronditur e lënduar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 mars 2025

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot për katër rastet e vrasjeve me armë zjarri që kanë ndodhur në tri ditët e fundit.

Mbledhjen e Qeverisë Kurti e ka nisur duke shprehur shqetësimin në lidhje me vrasjet e ndodhur, ndërsa ftoi organet e rendit dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë këto raste.

“Fillimisht dua të ndaj shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit dhe drejtësisë që të trajtojnë seriozitetin më të lartë, shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi edhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen”, tha Kurti.

Kurti shtoi se vrasja është akti më i rëndë që mund t’ia bëj njeriu njeriut, “ajo asnjëherë nuk mund të normalizohet, vrasje është jo vetëm vrasje e njeriut po edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë”.

Kreu i Qeverisë shtoi se gjithë vendi është tronditur nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet dhe të dënohet.

“Gjithë vendi është tronditur e është lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit”, u shpreh ai.

Ndryshe kryeministri i vendit kujtoi se pas mbledhjes, në agjendaën e tij është vizita në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, në 26 vjetorin e masakrës atje, në luftën e fundit.

Scroll to Top