LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit Stefan Andonovski: Skandal me tenderët në ministrinë e tij

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 mars 2025

LSDM-ja kërkon që Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit të veprojë në lidhje me tenderët e Ministrisë për Transformim Dixhital, të cilët kanë përfunduar tek kompania e bashkëshortit të sekretares shtetërore të ministrisë.

Këtë e konsiderojnë konflikt interesi dhe nepotizëm. Ministri Stefan Andonovski një ditë më parë kishte thënë se firma në fjalë është e vetmja e paraqitur në thirrjen publike dhe se vlera e tenderit është për 40% më pak se sa që pretendon LSDM-ja. Sipas tij, as ai dhe as sekretarja shtetërore Gordana Kliçarova nuk kanë pasur ndikim te komisioni që merret me procedurën e furnizimit.

“Kërkojmë veprim urgjent nga Komisioni Antikorrupsion për këtë rast i cili duhet patjetër të zgjidhet plotësisht. Stefan Andonvski në press konferencë e pranoi skandalin me tenderët në ministrinë e tij por në vend që të mbajë përgjegjësi, të kërkojë falje dhe të ofrojë dorëheqje ai me arrogancë i mbroi tenderët që përfunduan te bashkëshorti i sekretares shtetërore Kliçarova. Ky është rast i qartë i konfliktit të interesit, nepotizmit dhe dyshimit të bazuar për korrupsion, gjëra që gjithsesi, janë pasqyrë e VMRO-DPMNE-së”, tha Bugdanka Kuzeska, LSDM./ Alsat.mk

Scroll to Top