Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 mars 2025
Intervistë me ministren suedeze për çështjet e Europës, Jessica Rosencrantz!
Bashkimi Evropian ndodhet në një moment vendimtar të zgjerimit, dhe Shqipëria, është më afër se kurrë objektivit të saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Në këtë intervistë ekskluzive ministrja suedeze për çështjet Europiane Rosencrantz ndan pikëpamjet mbi mundësitë dhe sfidat e këtij procesi, rolin e Suedisë si mbështetëse dhe avokate e Shqipërisë në BE, si dhe mësimet që vendet e vogla mund të nxjerrin nga përvoja suedeze. Gjithashtu, ministrja suedeze flet për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e turizmit dhe shkëmbimet kulturore
Suedia është një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duke pasur parasysh dinamikat në zhvillim brenda BE-së dhe sfidat më të gjera gjeopolitike, cilat i shihni si mundësi dhe sfida që ka vendi në rrugën drejt anëtarësimit?
Me gjithçka që po ndodh në botë, me një luftë në kontinentin tonë, mendoj se sot është më e rëndësishme se kurrë që Evropa të bashkohet, dhe zgjerimi është një pjesë e rëndësishme e kësaj. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ka një momentum të ri për zgjerimin, dhe ka një mbështetje të fortë për zgjerimin mes vendeve të BE-së.