Në një botë të re ku teknologjia po i kapërcen parashikimet dhe ku përdorimi i rrjeteve sociale dhe aksesimi i internetit është një rutinë e zakonshme për të gjithë, ndikuesit/ influencers dhe krijuesit dixhitalë po shtohen si ato kërpudhat pas shiut kryesisht dekadën e fundme, duke u kthyer në trendin më të përhapur për të rinjtë dhe jo vetëm.
Nëse para shume viteve për të influencuar, motivuar apo dhënë një mesazh shoqërisë do të duhej të kishe krijuar një emër, të kishe një karrierë në art, sport apo në kulture- sot është lehtësisht e mundur nëse ke ato ´K´-të në Instagram.
Është një lojë numra- ndjekësish, ku rritja e sasisë con edhe në uljen e cilësisë.
Por përse po relativizohen kaq lehtësisht qeniet humane dita-ditës?
Ndoshta brezat e rinj e kanë kuptuar fare mirë shprehjen se ´Koha është para´ dhe mjaftohen me pak përmbajtje dhe gjysëm thellim, pa menduar se po bien pre e një sistemi ku jo vetëm mendimi blihet por dhe realiteti që vjen nga ekrani i celularit, duke i kthyer ata vetë në një produkt.
E meqë dolëm te produkti, përtej dhënies së një opinioni apo sensibilizimit të masës nga vetë ata, qëllimi kryesor mbetet tërheqja e konsumatorit për blerjen e një malli, qofte ky i një kompanie financuese apo sipërmarrjeje private nëpërmjet reklamimit.
E thënë ndryshe kjo sot në gjuhën e ekonomisë liberale quhet arti i hartimit të një biznesi dixhital. Deri në këtë pikë kjo platformë e re nuk përbën asnjë pakënaqësi, pasi njeriu gjithmonë do të gjejë mënyrat më të lehta për të ndërvepruar.
Por influencuesit me qëllim ose jo, navigojnë në emocionin delikat të besimit, duke formësuar kështu perceptimin dhe në disa mënyra duke u bërë filozofë bashkëkohorë të stilit të jetesës, shijes dhe mendimit. Ndikimi i tyre reflekton vlerat, dëshirat dhe aspiratat kolektive të shoqërisë.
Një kostum ky që ju rri pak i madh shumicës, duke shëmbëlltyer tek masa, e sidomos tek të rinjtë një realitet plotësisht virtual e jo fizik. Nga ana tjetër krijuesit dixhitalë, sa të ndarë por edhe bashkëpunëtorë në gjithë këtë sistem, përfaqësojnë dëshirën dhe vullnetin për të krijuar në ide dhe vlera estetike programe tërheqëse dhe të larmishme.
Të etur për klikime e vëmendje, influencers/ ndikuesit mundohen që përmbajtja e tyre të udhëhiqet nga ajo cfarë pëlqen tregu dhe jo të manifestojë te tregu qëllimin cilësor dhe estetik të vlerave.
Nëse në perceptimin tonë media apo ekrani është një eter ku magjia e saj të mbërthen furishëm, platformat e rrjeteve sociale si pasardhësit e saj janë një pasqyrë e një realiteti totalisht fals, ku për publikun ndahen vetëm momentet e gëzuara në jetë, luksi material dhe mesazhi pa tekst brenda. Duke qenë se te natyra njerëzore tipari i krahasimit me tjetrin ka ekzistuar gjithnjë, ndjesia e Un-it nxit parreshtur dozën e inatit, ndjenjën e xhelozisë si dhe veprime aspak të këndshme me idenë se qëllimi është ai që justifikon mjetin.
Brezat e rinj po vuajnë dita-ditës këtë ndjesi brenge që ´idhujt´ e tyre i paraqesin duke harruar se ajo është vetëm maja e ajsbergut. Padyshim, modeli për të pasur një jetë të tillë, që arrihet padyshim përmes një pasurimi të shpejtë, u referohet pikërisht këtyre ndikuesve që me imazhin e njohur të tyre dhe me një bukuri si ajo e IA duket të jenë dhe motivi i përditshëm i tyre. Dhe harrojnë se realiteti ku jetojnë shkon përtej një aplikacioni të mbushur me sfida të mundimshme.
Dështimin dhe suksesin i ndan një fije shumë e hollë, ashtu sikurse dhe perceptimin e realitetit. Celësi për të bërë dallimin është aftësia për të kuptuar që ajo cka na ofrohet, nuk është gjë tjetër vecse një ëndërr e bukur por e rrezikshme, vazhdimin e së cilës teknologjia po e perfeksionon në maksimum.
Navigimi i brezit të ri në të tilla valë oqeanike duket se do të vazhdojë. Rendja pas IA e përforcon edhe më shumë, duke e parë të ardhmen e afërt jo më me sytë e një Humani por të një Influencuesi.