Udhëheqësit e Bashkimit Evropian synojnë t’i dërgojnë një “sinjal të qartë” presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në një samit të enjten, në lidhje me mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën.
Ata gjithashtu do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë dhe ekonomike të paraqitura nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët do të presin presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fillim të bisedimeve të tyre në Bruksel dhe do të riafirmojnë “angazhimin e tyre të palëkundur” për të mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, sipas draft-konkluzioneve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Trump ka bërë thirrje vazhdimisht për një fund të shpejtë të luftës gati tre-vjeçare.
Të hënën ai tha se Zelensky duhet të jetë gati për të arritur një marrëveshje paqeje me presidentin rus Vladimir Putin, megjithëse ai nuk tha nëse kjo do të thotë që Kievi t’i lëshojë territorin Moskës si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar.
“Rusia nuk duhet të mbizotërojë”, thuhet në draft-përfundimet e BE-së, duke shtuar se asnjë iniciativë nuk duhet të ndërmerret për Ukrainën pa përfshirjen e Kievit.
Dhe një diplomat i BE-së e përshkroi projekt-tekstin si dërgimin e “një sinjali të qartë për SHBA-në”.
Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu më gjerë marrëdhëniet BE-SHBA gjatë drekës mes shqetësimeve për një luftë të mundshme tregtare transatlantike.
Trump ka thënë se BE-ja do të “paguajë një çmim të madh” me tarifa për mosblerje të mjaftueshme të eksporteve të SHBA.
Ai tashmë ka premtuar tarifa të larta për tre nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara – Kanadanë, Meksikën dhe Kinën.
BE nuk e di nëse do të kursehet një gjë e tillë.