ata nuk jan i na

“Ne jemi të besës, jo si ata”, ish-kapiteni Cana komenton grupin e Shqipërisë

Shqipëria përballë Serbisë është padyshim sfida që ka marrë vëmendjen më të madhe në këto kualifikuese për Botërorin 2026, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë Europën.

Të gjithë kujtojnë atë ngjarje që ndodhi 10 vite më parë në Beograd, ku tifozët serbë u futën në fushë dhe filluan të godisnin futbollistët shqiptarë me çfarë t’u dilte përpara, me CAS-in që vendosi drejtësi duke i dhënë Kombëtares tonë fitoren në tavolinë 0-3, duke hedhur poshtë vendimin e çuditshëm nga ana e UEFA-s që bëri të kundërtën.

Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Canba, ka rrëfyer në një intervistë me gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, se çfarë pret nga dy sfidat e ardhshme që do të vendosin dhe fatin e Shqipërisë për një vend në Botëror.

“E largoj fokusin nga pjesa teknike, nga loja, nga qëllimi që është për herë të parë ndoshta të mundohemi të bëjmë një hap konkret drejt kualifikimit në një Botëror sepse kemi qenë gjithmonë shumë larg.

I vetmi vit ku mund të kishim kapur ndonjë barazh ishte në Botërorin e 2014 sepse mendoj që kemi qenë në një grup të kapshëm, por në nuk kishim arritur një lloj pjekurie si skuadër.

Këtë vit le të themi se jemi për herë të parë në vazon e tretë dhe kjo na e bën rrugëtimin vetëm me një kundërshtar që duhet lënë pas. Është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh. Pjesën e Serbisë do e shikoja vetëm si kundërshtar të nivelit të lartë që duhet të pretendojmë të garojmë deri në fund me të.

Sigurisht që ka lojtarë që kanë qenë, mendoj që është një përvojë që ata e kanë në bagazh. Ndërsa për djemtë e rinj që nuk kanë qenë para 10 vitesh do jetë një episod i cili i bën më me dëshirë të jenë pjesë e ekipit kombëtar

Jam shumë i bindu që është diçka që i ndihmon në virtytet dhe sakrificën që duhet bërë për ekipin kombëtar. Për sa i përket rregullave të cilat do vendosen, FIFA dhe UEFA ka rregulla për vendet që janë në konflikt të drejtpërdrejtë apo që kanë qasje politike të caktuar për t’i ndaluar këto ndeshje.

Unë mendoj se çfarë kemi përjetuar ne si komb dhe sidomos pjesa e shqiptarëve në Jugosllavi, mua mu duk që në herën e parë diçka jo e logjikshme që të përballen pastaj kjo nuk duhet të jetë një pengesë për ne. Para 10 vitesh i kemi lënë pas në klasifikim dhe është diçka që mund të bëjmë në të njëjtën mënyrë duke qenë se në grup është edhe Anglia që është favoritë për vendin e parë.

Në atë kohë më ra të kisha dy lojtarë serb tek Lazio por edhe në ekipet e tjera dhe kam biseduar me ta.

Mendoj një nga arsyet kryesore që atë natë nuk ka ndodhur një tragjedi, sepse ne në atë moment nuk e kemi perceptuar në moment, thjeshtë kemi reaguar në mënyrën tonë më natyrale, por ka qenë mbrojtja që na ka dhënë një pjesë e ekipit serb dhe kjo nuk është për tu anashkaluar. Besoj se dy ekipet nuk duan që ngjarjet të përsëriten sepse ne fund te fundit ata e pësuan dhe u dënuan në fund.

Por tani ne duhet të ndërtojmë vlerat si skuadër në aspektin teknik dhe mandej si element kombëtar për të pretenduar diçka dhe të jetë ajo një frymëzim jo vetëm për lojtarët e ekipit kombëtar po për të gjithë ata qe identifikohen me ngjyrat kuq e zi.

Është një mbrëmje që na kujtohet shpesh, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ka qenë diçka shume spontane. Ajo ka treguar frymën e vërtetë të skuadrës sepse kur njeriu ka qëllime të duhura për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe simbolet tona apo vendin tonë atëherë nuk ka asgjë të keqe në mes. Përkundrazi qenë mbrëmje e cila në atë kohë ka solidifikuar dhe mbledhur akoma më shumë pjesën e popullit, njerëzit tanë dhe tifozëve me ekipin kombëtar dhe ka qenë moment i rëndësishëm për domethënien e ekipit kombëtar dhe në fund kjo u mbyll me një kualifikim. Besoj kjo ka për të qenë frymëzim për çunat e kombëtares që të japin maksimumin. Mendoj që diferenca midis dy ekipeve nuk është e madhe edhe pse ata kanë disa lojtarë që janë ndoshta më lart.

Fakti që s’do ketë tifozë më duket shumë normale sepse askush nuk të garanton rendin dhe sigurinë e tifozëve që do vijnë. Pavarësisht se ne e kemi dëshmuar shumë herë që ne dimë të presim sepse shqiptari nuk pret ne besë, në këtë rast nëse mund ta quaj “mikun” i cili vjen në shtëpinë tonë dhe në shumë raste jemi më të fjalës në këtë aspekt.

Normal që futbolli duhet të jetë me tifozë, duhet te ketë tifozë kundërshtarë por marrëdhënia që ne kemi me shoqërinë serbe në përgjithësi dhe me situatën ku është e përfshirë akoma Shqipëria dhe Serbia, mbetet gjithmonë në mes identiteti i Kosovës dhe atë rrugëtimin që kemi pasur dhe akoma nuk ka një zgjidhje përfundimtare që e bën me delikatë këtë situatë.

Dy vendet nuk kanë qenë në konflikt direkt dhe nuk kërkojnë territoret e njëra-tjetrës dhe pastaj ndeshja të jetë automatikisht pa tifozë por mendoj që në gjendjen aktuale besoj që është me mirë që secili të presë në shtëpinë e vet pa tifozët kundërshtar. Siguron një lloj mbarëvajtje. Unë nuk pres të njëjtat ngjarje apo larg qoftë edhe dhunë brenda fushës sidomos nga pala jonë. Mendoj që duhet të jemi mjaftueshëm të pjekur siç e kemi dëshmuar dhe në kohën kur Serbia erdhi të ne, që i shohim gjërat ndryshe, i mendojmë ndryshe dhe veprojmë ndryshe dhe ky besoj që është shembull që i japim të gjithëve”.

Scroll to Top