Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë një viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivorë dhe 15 terabajtë material digjital, video, audio e foto, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në prezantimin e raportit njëvjeçar të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ai ka thënë se Serbia është duke vazhduar që të mos kërkojë falje për krimet që ka bërë.
“Me regjistrimin e popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta. Qytetarët kanë deklaruar dëmet ekonomike, vrasjet, të zhdukurit. Gjatë këtij viti janë grumbulluar rreth 190 metra gjatësi të materialit arkivor dhe 15 terabajtë material digjital, video, audio, foto që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky informacion është mbledhur nga 67 burime të ndryshme”, tha Kurti.
Kurti tha se këto materiale po grumbullohen për t’i shërbyer kujtesës sonë si popull dhe gjeneratave të ardhshme, siç tha ai “për një periudhë të errët që kaluam”.Kryeministri Kuti tha Instituti vazhdon bashkëpunimin me të gjitha institucionet për të grumbulluar dhe sistemuar materialet që dëshmojnë krimet ndaj popullatës civile.Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit tha se raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.“Që nga themelimi i Institutit kemi ndjekur një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Raporti një vjeçar që do të prezantohet, pasqyron përpjekjet tona për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.Ndërkohë, detajet e raportit janë prezantuar me dyer të mbyllura, pasi sipas Hetemit, protokolli i kërkonte një qasje të tillë.