Drejtori i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës në Ministrinë e Ekonomisë, Shemsi Mustafa, ka dhënë detaje të tërmetit që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit.
Mustafa në një postim në Facebook shkruan se tërmet ishte në zonën Prizren – Kukës
“Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, më 12/12/2024 në orën 01:46 sipas kohës lokale, territori i Kosovës është goditur me një tërmet me magnitudë 3.9 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet V ballë të Merkalit. Thellësia hipoqendrore ishte 5 km”, shkruan ai.
Sipas tij, epiqendra e këtij tërmeti ishte (lokacioni 42.150; 20.570), 15 km në Jugperëndim të Prizrenit dhe 15 km në verilindje të Kukësit përkatësisht në fshatin Vërmicë.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndim të Kosovës. Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikoj qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës së ulët, njëherësh ky termet dëshmon për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”, shkruan Mustafa.