Hajredin Kuçi është deklaruar sot i pafajshëm gjatë paraqitjes së tij të parë në Hagë, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar e akuzon atë me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të dalin para gjykatës, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, të cilët akuzohen për ndikimin mbi dëshmitarët. Bashkë me ta akuzohen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.
Madje, gjatë leximit të deklaratës së tij të pafajësisë, Kuçi tha se nuk ka tentuar të komunikojë me dëshmitarë as kur e ka pas mundësinë si pjesëtar i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit në gjykimin për krime lufte nga DhSK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve më të errëta për mua si njëri i drejtësisë që e kam profesion dhe mision tërë jetën dhe jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vite, si ish-anëtarë i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtarë i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli pran kësaj gjykate, këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional dhe të reputacionit tim”, tha Kuçi.
Ai tha se drejtësinë si mision dhe profesion do ta vazhdojë edhe sot e tutje ashtu siç ka bërë deri më sot.
“Drejtësinë si mision dhe profesion do ta vazhdojë edhe nga sot, por në një pozitë tjetër por prapë në funksion të saj dhe atyre vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimin që kjo akuzë i ka bërë anëtarëve të familjes sime, ju ka bërë studenteve dhe kolegëve të mi, ju ka bërë shokëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë iu them atyre edhe sot që unë jam i njëjti, ai që kam qenë para datës 6 dhjetor 2024”, tha ai.
Kuçi tha se nuk ka bërë asnjë vepër penale dhe ka besim të plotë që do të lirohet nga akuzat.