auto nezir mehmetaj1704659344

Serbia dënon Nezir Mehmetajn me 6 vjet burgim

Autoritetet gjyqësore serbe kanë denuar gjatë ditës sot, shtetasin e Kosovës Nezir Mehmetaj me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.

Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet, shkruan Evropa e Lirë.

Ai u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.

Po atë vit autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte.

Nga Prokuroria për krime lufte në Beograd kishin thënë për Radion Evropa e Lirë se Mehmetaj akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999.

Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, komuna e Klinës.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës në korrik të vitit 2024 kërkoi nga Serbia që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen atje.

Por, udhëheqësja e kësaj ministrie, Albulena Haxhiu, deklaroi se është e vështirë që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese, për shkak të mosbashkëpunimit të vazhdueshëm juridik.

Përveç Mehmetajt, në Serbi gjenden në paraburgim nën akuza për krime lufte edhe Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. Ndërkaq, Sadiku Duraku, që ishte arrestuar më 17 prill nën dyshime për krime lufte, u lirua në tetor të këtij viti.

Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve.

Scroll to Top