Izraeli ka kryer sulmin më të madh kundër Libanit prej kur palët janë pajtuar për një armëpushim një javë më parë, duke vrarë të paktën 11 persona.
Sulmi ka ardhur pasi grupi militant i Libanit, Hezbollah, ka gjuajtur një breshëri predhash si paralajmërim për ato që i ka cilësuar shkelje të armëpushimit nga ana izraelite.
Sulmi me predha ka qenë i pari i Hezbollahut kundër forcave izraelite pasi palët janë pajtuar për një armëpushim 60-ditor javën e kaluar.
Marrëveshja tejet e cenueshme parasheh dhënien fund të luftimeve që kanë nisur më shumë se një vit më parë mes Hezbollahut dhe Izraelit – në kuadër të zgjerimit të konfliktit të nxitur nga lufta shkatërruese mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.