Hapet ambasada e Kosoves ne Kolumbi

Kosova sot hap ambasadën e parë në Kolumbi, Gërvalla e quan moment historik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur krenare për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Bogota, Kolumbi.

Ajo ka theksuar se kjo arritje është rezultat i punës dhe përgatitjeve intensive, duke e cilësuar si një moment historik për vendin.

“Ndihem e gëzuar dhe krenare të njoftoj që puna dhe përgatitjet tona intensive kanë çuar sot në një rezultat historik: në Bogota, Kolumbi, Republika e Kosovës po hap ambasadën e saj në një tjetër vend të rëndësishëm në Amerikën Jugore”, ka shkruar Gërvalla.

Në postimin e saj, Gërvalla shprehu krenarinë për këtë arritje dhe njoftoi se Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, do të kryejë inaugurimin e ambasadës mbrëmjen e sotme.

“Hapja e ambasadës sonë në Kolumbi shënon një moment të rëndësishëm në strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale dhe për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministrja.

Ky zhvillim është një hap tjetër përpara në diplomacinë kosovare, duke theksuar angazhimin e Kosovës për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohjen e mëtejshme nga shtetet e tjera të botës./Telegrafi/

Scroll to Top