Legjionarët: Daku shënon dy gola, Asllani dhe Mitaj japin asiste

Daku shënon dy gola, Asllani dhe Mitaj japin asiste

Pas impenjimeve me ekipin kombëtar, legjionarët kuqezi u rikthyen në fushë me skuadrat e tyre, duke shkëlqyer me gola dhe asiste.

Mirlind Daku shënoi dy gola në fitoren 3-0 të Rubin Kazan ndaj Akron Togliatti. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi takimin në minutën e 10-të dhe në të 20-ën dyfishoi rezultatin. Në fund, Daku u zgjodh lojtari i ndeshjes me notën 9.5 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Kristjan Asllani u aktivizua titullar me Interin në sfidën ndaj Veronës. Mesfushori kuqezi shkëlqeu në fushë në fitoren e thellë 5-0 dhe ishte protagonist te goli i katërt, ku shërbeu saktë për Stefan de Vrij.

Mario Mitaj ishte sërish protagonist me Al Ittihad. Mbrojtësi kuqezi dha një asist në fitoren 2-0 të skuadrës së tij ndaj Al Fateh. Mitaj asistoi në të 58-ën për Fabinhon, i cili shënoi golin e parë të takimit.

Cristian Shpendi vazhdon të shkëlqejë në Serinë B italiane. Sulmuesi kuqezi gjeti sërish rrugën e rrjetës në barazimin 1-1 të Cesenës ndaj Reggiana. Ky ishte goli i nëntë në kampionat për Cristian Shpendin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Alen Sherri, Elhan Kastrati, Arlind Ajeti, Amir Abrashi, Feta Fetai, Nedim Bajrami dhe Keidi Bare, ndërsa dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Marash Kumbulla, Taulant Seferi, Arbër Hoxha, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Indrit Tuci dhe Arbnor Muja.

Scroll to Top