Nënshkruhet deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë

Nënshkruhet deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë

Ditën e martë u nënshkrua Deklarata zyrtare kundër dhunës ndaj grave në politikë, në Prishtinë, nën udhëheqjen e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Aktiviteti u parapri nga Konferenca kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe në jetën publike, ku u trajtuan sfidat dhe masat e nevojshme për të adresuar këtë fenomen.

Cornelia Taylor, Ushtruese e detyrës së Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, në fjalën e saj të hapjes theksoi rëndësinë e Deklaratës si një mjet për luftimin e dhunës ndaj grave në politikë.

Ajo vuri në pah angazhimin për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të siguruar përfshirjen e tyre në jetën publike.

Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, e cilësoi dhunën ndaj grave në politikë si një sfidë të përbashkët dhe apeloi për angazhimin e burrave dhe grave në luftimin e saj.

“Kjo është një betejë që kërkon bashkëpunim të gjithanshëm dhe reagim të shpejtë nga institucionet,” tha ajo, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj deklarate si një udhërrëfyes për veprime konkrete.

Ish-deputetet nga Mali i Zi, Branka Boshnjak dhe Vesna Paviçeviq, ndanë përvojat e tyre në avancimin e pozitës së grave në politikë dhe sfidat që gratë hasin për shkak të roleve tradicionale dhe diskriminimit të vazhdueshëm, veçanërisht përmes mediave sociale.

Në një panel të moderuar nga Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së, gratë deputete të Kuvendit diskutuan mbi përmbajtjen dhe rëndësinë e Deklaratës.

Deputetet si Ganimete Musliu, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe të tjera, theksuan nevojën për edukim dhe inkurajim të grave të reja për të hyrë në politikë, si dhe për të adresuar dhunën në rrjetet sociale dhe strukturat politike.

Deklarata cilësohet si një hap i rëndësishëm për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për gratë në politikë.

Grupi i Grave Deputete theksoi se lufta kundër dhunës duhet të përfshijë të gjitha palët e shoqërisë, duke përfshirë mediat, shoqërinë civile dhe aktorët ndërkombëtarë, për të arritur barazinë dhe pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën publike.

Scroll to Top