Është zbardhur mbrojtja e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ilir Meta ka deklaruar para togave të zeza se akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideron tendecioze, pasi sipas sipas tij, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi.
Meta theksoi se shumica e pronave dhe llogarive bankare janë të Monika Kryemadhit, duke shtuar se “Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit”.
Ai deklaroi se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.
“Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime , e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI. Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.
Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, u shpreh Ilir Meta.
Mbrojtja e plotë Metës:
Zonja Gjykatëse, jepini fund kësaj sjellje paragjyqësore ndaj ish-Presidentit të Republikës!
Kulmi i papërgjegjshmërisë të SPAK-ut dhe sidomos të kallëzuesit tim në SPAK për çështjen CEZ-DIA, të dënuarit nga gjykata për dhunë në familje, Romeo Kara, si edhe dëshmitarit kryesor, që i referohet SPAK, Elvis Mataj, i cili ishte krahu i djathtë i Kastriot Ismailajt në menaxhimin e DIA dhe i denoncuar nga ky në prokurori për vjedhje dhe mashtrim, është pikërisht ky paragraf i shkruar nga vetë SPAK në faqen 34, paragrafi i parë:
“Nga deklarimet e shtetasit Romeo Kara, ka rezultuar se në biseda me shtetasin Elvis Mataj, ky i fundit i ka thënë që Kastriot Ismailaj me çantën e Elvisit i ka dërguar një sasi të konsiderueshme parash në shtëpi Ilir Metës, gjë e cila në deklarimet e Elvis Mataj nuk është pranuar”.
Pra në një paragraf kaq konçiz të shkruar nga SPAK-u, ose kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen.