jorn Rohde

Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se autoritetet gjermane nuk lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të fushatës politike në territorin gjerman, nëse ato mbahen brenda periudhës prej më pak se tre muajve nga data e zgjedhjeve në vendin përkatës.

“Sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme në Kosovë, kemi informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partitë politike për rregulloren tonë specifike. Kjo rregullore përfshin aktivitete të fushatës zgjedhore për zgjedhjet në Kosovë që zhvillohen në tokën gjermane”.

“Ndër të tjera, rregullorja përcakton se lejet përgjithësisht nuk do të jepen nëse aktiviteti zhvillohet brenda periudhës më pak se tre muaj para datës së zgjedhjeve në vendin përkatës,” ka shkruar Rohde në platformën X.

Kjo deklaratë vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe procedurave për aktivitetet politike që mund të zhvillohen jashtë vendit.

Rohde si shkas për rikujtim ka marrë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 9 shkurt.

Përgjatë nëntorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar disa herë pjesëtarë të diasporës kosovare në Zvicër, Austri, Norvegji dhe Gjermani.

Ai ka zhvilluar takime me diasporën në Gjermani edhe në shtator e tetor, në katër qytete të këtij shteti.

Takime me pjesëtarë të diasporës kanë realizuar edhe pjesëtarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, deri më tash, nuk ka të publikuar ndonjë takim me pjesëtarët e diasporës. /Telegrafi/

Scroll to Top