Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe akuzave të bëra nga opozita, duke theksuar se asnjë pengesë, qoftë verbale apo fizike, nuk do ta ndalë nga zbatimi i reformave të tij në sektorin e bujqësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Peci u është përgjigjur kritikave të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, duke i cilësuar si të tronditura nga ndryshimet e thella që ai ka ndërmarrë në këtë sektor.
“Siç ua kam thënë që në fillim të mandatit, nuk mund të më ndalni as me ujë, as me plumba!” ka shkruar ai, duke akuzuar opozitën për përpjekje të dështuara për ta diskredituar dhe ndaluar.
Ministri e quajti sjelljen e opozitës një tregues të “shthurjes mentale” dhe shpifjeve, ndërsa kritikoi veçanërisht PDK-në dhe LDK-në për kërkesat e tyre për shkarkime.
Peci theksoi se reformat e ndërmarra në bujqësi janë aq të thella dhe radikale sa janë të vështira për t’u kuptuar nga kundërshtarët e tij.
Ai nënvizoi se këto ndryshime, të bazuara në meritokraci dhe profesionalizëm, kanë eliminuar sistemin kleptomanik të qeverisjes që, sipas tij, kishte mbizotëruar më parë.
“Sulmet tuaja janë të kuptueshme sepse suksesi dhe ndryshimet në sektorin e bujqësisë janë aq të mëdha sa vështirë për t’u pranuar nga ju!”
ka shtuar Peci.
Ai premtoi se tani do të flasë më hapur se kurrë më parë dhe do të denoncojë publikisht “pafytyrësinë dhe kriminalitetin” e atyre që kanë kritikuar qeverisjen e tij aktuale.