Ministria e Drejtësisë gati të bëjë ndryshime ligjore për të lehtësuar gjykimin e Radoiçiqit e të tjerëve

Ministria e Drejtësisë gati të bëjë ndryshime ligjore për të lehtësuar gjykimin e Radoiçiqit e të tjerëve

Ministria e Drejtësisë është shprehur e gatshme që të adresojë çdo sfidë që kanë institucionet e drejtësisë, për gjykimin e të akuzuarve në rastin e Banjskës.

Një ndër opsionet që është diskutuar për të lehtësuar gjykimin e Milan Radoiçiqit, e grupit të tij që ndodhet në arrati, e që janë të akuzuar për sulmin e Banjskës, është ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale.

Ministria e Drejtësisë, është shprehur e hapur për diçka të tillë, në rast se institucionet përgjegjëse vlerësojnë se kjo lehtëson punën e tyre.

“Është tejet e rëndësishme të bëhet presion për Serbia, që të dorëzojë kriminelet, pra krye-terroristin Milan Radoiçiq por edhe gjithë të tjerët, që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë, e që si pasojë kemi vrasjen e një polici, në këtë drejtim partnerët tanë ndërkombëtar duhet të vazhdojnë të bëjnë presion tek Serbia, MD-ja nuk e ka në plan që të bëjë ndryshime në Kodin penal apo kodin e procedurës penale, por më duhet të theksojë që jemi me vullnet të plotë që të adresojmë secilën sfidë që kanë institucionet për adresimet e këtij rasti…Jemi të gatshëm që të kontribuojmë me gjithçka në këtë drejtim”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Derisa, Gjykata Themelore në Prishtinë, ende nuk ka bërë të ditur vendimin e saj se si do të procedohet me këtë rast, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit thotë se Supremja është dashur të qartësojë dilemat e Themelores.

“Gjykata është dashur të e jep një mendim të prerë, lidhur me këtë çështje, a duhet të mbahet gjykimi në mungesë apo jo për rastin e Banjskës, për shkak se është e paqartë, dispozita e kodit penal ku thotë se duhet gjykuar rasti sic është gjenocidi krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, si dhe veprat tjera që janë të dënueshme me burgim të përjetshëm, konsideroj se edhe vepra penale e terrorizimit hynë në vepra penale kundër njerëzimi..Nëse kishim me pas një vendim të tillë që nuk do kemi mundësi me gjyku në mungesë, unë konsideroj se MD-ja në mënyrë urgjente duhet të e ndryshojë këtë paragraf”, deklaroi ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

E sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, në asnjë formë nuk duhet të nisen ndryshime të tilla, vetëm për një rast meqë kjo do të mund të keqkuptohej jashtë Kosovës.

“Në asnjë shtet normal në asnjë shtet ku zbatohen parimet e sigurisë juridike, nuk ndërrohet Kodi i procedurës penale, për t’iu përshtatur një gabimi të prokurorisë të gjykatës, apo për t’iu përshtatur një rasti të veçantë dmth kjo nuk ndodhë në botën demokratike, në anën tjetër në kohën kur është bërë kodi janë marr edhe rekomandimet e Venecias, edhe qëndrim, parim që gjykimi në mungesë është përjashtim e nuk është rregull”, deklaroi Ehat Miftaraj nga IKD.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në shtator ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e 24 shtatorit, të vitit të kaluar, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Gjykimi ka nisur ndaj 3 të akuzuarve që janë në paraburgim, derisa ndaj 42 të tjerëve përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, është kërkuar të vazhdohet me gjykimin në mungesë.

Scroll to Top