Zbardhen detaje për therjen me thikë të katër personave në Ferizaj,

Zbardhen detaje për therjen me thikë të katër personave në Ferizaj, ministri Vitia e doktori Syla flasin nga Emergjenca

Një vajzë 10-vjeçare e cila ishte viktimë e një therjeje të katërfishtë në Ferizaj ndodhet në gjendje stabile, ndërkohë që një nga pacientët e tjerë të transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, për televizionin publik.

“Fëmiu 10-vjeçar është në gjendje më të rëndë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërkaq më vonë është futur në sallën e operacionit. Gjatë kohës së intervenimit dhe gati para përfundimit, gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë,” deklaroi Syla.

Ai gjithashtu dha detaje për dy viktimat e tjera të shtrira në QKUK. “Për dy rastet e tjera kanë qenë në gjendje stabile.

Njëri është trajtuar në gjendjen emergjente dhe është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ndërkaq tjetri është në observim në Qendrën Emergjente, ku mund të them se gjendja e tij është duke u keqësuar, ku sipas të gjitha gjasave do të paraqitet nevoja për sallë të operacionit,” shtoi ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu mirënjohje për stafin e QKUK-së për intervenimin e shpejtë.

“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri-animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik,” u shpreh Vitia.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:40 në Ferizaj, ku një person i moshës madhore në rrethana ende të paqarta ka sulmuar katër kalimtarë të rastit me thikë, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, transmeton Telegrafi.

Scroll to Top